Kryeshefi Ekzekutiv po merr pjesë në konferencën e lartë me temë “Hulumtimi i Shpërthimit të Sëmundjeve Ushqimore Ndërkufitare, e cila po mbahet në Austri

Me ftesë të Komisionit Evropian Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë Dr. Valdet Gjinovci, po qëndron në Vjenë të Austrisë në konferencën dyditore me temë “Hulumtimi i Shpërthimit të Sëmundjeve Ushqimore Ndërkufitare” e cila po mbahet me datë sot dhe nesër më datë 08 – 09 Tetor.

Konferenca është organizuar me rastin udhëheqjes së Presidencës të Këshillit të Bashkimit Evropian nga Austria. Në këtë ngjarje janë të ftuar të gjithë Shefat e Shërbimit Veterinar të vendeve anëtare të BE-së dhe atyre nga Ballkani, të cilët janë duke përfaqësuar autoritetet kompetente për sigurinë e ushqimit dhe çështjeve veterinare të vendeve nga vijnë.

Gjatë konferencës do të prezantohen të gjitha risitë dhe zhvillimet e fundit të cilat kanë ndodhur sa i përket sigurisë së ushqimit dhe shëndetit të kafshëve, në arritjen e objektivave dhe sukseseve të përbashkëta, në parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve të kafshëve si dhe marrjen e masave adekuate në eliminimin e problemeve të cilat janë shfaqur në ushqime.

Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe menaxhimi dhe vlerësimi i rrezikut, si dhe përgatitjet e duhura në përgjigje të krizave dhe raportimi me kohë i tyre.

z. Gjinovci në ditën e parë të konferencës bashkëbisedoi me homologët pjesëmarrës, lidhur me shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e kryerjes së aktiviteteve në fushën e çështjeve veterinare dhe sigurisë ushqimore, ku i njoftoi hollësisht bashkëbiseduesit mbi proceset, sfidat dhe të arriturat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe të cilët i falënderoi për ofrimin e mbështetjes për AUV, të cilët me kënaqësi u pajtuan që të rrisin edhe më tej bashkëpunimin e ndërsjelltë me AUV.

Të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan se tema që po diskutohet është një ndër shtyllat kryesore për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit human dhe u zotuan se edhe më tej do të punojnë për këtë qëllim që është edhe misioni i vet institucionit të autoritetit kosovar kompetent.