Te pranishëm ne fillimin e këtij projekti ishin z. Isa Mustafa, Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. James Hope, Drejtor i Misionit të USAID-it në Kosovë, z. Memli Krasniqi, Ministër i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Hykmete Bajrami, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë.
Hapja e ceremonisë u bë nga Dr. Valdet Gjinovci, Kryeshef Ekzekutiv i cili përshëndeti te pranishmit dhe njoftoi mbi rendësin e Projektit, ku ndër të tjera tha se Projekti për promovimin e qumështit të freskët paraqet iniciativën e akterëve relevant të këtij sektori të rëndësishëm të bujqësisë duke pasur për qëllim vetëdijesimin e konsumatorëve të Republikës së Kosovës për konsumimin e qumështit dhe produkteve të tij të prodhuar nga prodhuesit vendorë, produkt ky jetik për kosumatorin, ekonomik për fermerin, afirmues për vendin.
Synimi i këtij projekti është që të arrihet një plasim i dukshëm dhe i rritur i qumështit të freskët në treg duke i mundësuar konsumatorit një zgjedhje më shumë por edhe për të ndikuar në konkurueshmërinë e produkteve vendore përkundrejt atyre nga importi.
Ky projekt, mbështetet nga USAID, zbatohet nga Shoqata e prodhuesve, dhe ka mbështetjen institucionale nga MBPZHR dhe AUV.
Një rol të rëndësishëm kanë edhe qumështoret e aprovuara të Kosovës të cilat në bashkëpunim me fermerët do të përgatisin dhe ofrojnë konsumatorit qumësht vendorë të freskët, të sigurtë dhe të cilësisë së lartë.
Fushata e promovimit do të zgjasë deri në mesin e vitit 2017, e cila do të përcillet me aktivitete të ndryshme në të gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë promovimin përmes materialeve promovuese, ngjarjeve të ndryshme, reklamës në kanale kombëtare televizive, reklamimit në rrjetet sociale, degustimit në dyqane, etj.
Isa Mustafa kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, tha se ky sektor do të mbështetet edhe në të ardhmen nga qeveria e vendit.
Kurse James Hope, drejtor i USAID-it në Kosovë, nder te tjera tha se institucionet e Kosovës do të mbështeten në vazhdimësi për zhvillimin e prodhimtarisë dhe promovimin e produkteve vendore.
Po ashtu z. Memli Krasniqi, Ministër i Bujqësisë, e përshëndeti fillimin e kësaj fushate dhe theksoi se fermerët e vendit, prodhuesit dhe përpunuesit do të kenë mbështetjen edhe në të ardhmen me qëllim të avancimit dhe promovimit të prodhimit vendor.