Mbështetje e mëtutjeshme për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë

Kujdesi për cilësinë, higjienën dhe sigurinë e produkteve ushqimore është bërë tashmë kulturë e përditshme tek konsumatorët dhe përpjekjet që t’ju garantohen këto vlera ushqyese konsumatorëve janë shtuar viteve të fundit. Në përkrahje të kësaj sfere me rëndësi të veçantë në Kosovë, sot filloj zyrtarisht edhe projekti i binjakëzimit “Mbështetje e mëtutjeshme për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë”, i cili do të financohet prej BE-së me 1.5 milionë euro.

Angazhimi i faktorëve kompetentë për avancimin e pozitës së konsumatorëve dhe për ngritjen e standardit në ushqim, sipas ministrit Stavileci, i cili ishte prezent në hapjen zyrtare të këtij projekti, është jo vetëm shlyerje e një obligimi ligjor dhe institucional, por shlyerje edhe e një obligimi qytetërues dhe human. “Një sistem për menaxhimin e cilësisë së çertifikuar, tregon angazhimin e ndërmarrjes për sigurimin e cilësisë dhe për plotësimin e kërkesave të konsumatorëve. Ndërsa, një sistem i avancuar institucional i kontrollimit të cilësisë, që ne me përkrahjen e zyrës së BE-së në Kosovë po mundohemi ta arrijmë, duhet të nënkuptoj edhe përkushtimin e institucioneve që qytetarët tanë të konsumojnë produkte sa më të sigurta dhe sa më të shëndetshme”, deklaroi Stavileci.

Ai tha se sivjet prioritet i Ministrisë së Bujqësisë është edhe reformimi dhe riorganizimi i instituteve që funksionojnë në kuadër të saj, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejt janë të lidhura me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Ndërsa, kryeshefi i  agjencisë, Valdet Gjinovci, tha se projektet e tilla e ndihmojnë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në përmbushjen e shumë kritereve që parashihen me standarde të Bashkimit Evropian. “Është e rëndësishme të theksohet ndërlidhja e këtij projekti me projektet tjera në fushën e bujqësisë dhe sigurisë së ushqimit, në veçanti me grantet investive në bujqësi dhe me zbatimin e standardeve të BE-së në industrinë ushqimore. AUV do të jap maksimumin e vet që të përfitojë sa më shumë nga ky projekt, me theks të veçantë në zbatimin e ligjit të ushqimit, si dhe do të ofrojmë të gjitha kapacitetet në përmbushjen e suksesshme të rezultateve të parapara në planin e punës. Shpresojmë se me implementimin e këtij projekti ne do të mundemi t’i përmbushim këto kritere dhe të jemi në gjendje që t’i përgjigjemi kushteve të cilat BE-ja i kërkon”, ka thënë Gjinovci.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në këtë takim, Artan Osmani, tha se progresi i arritur me projektin e parë të binjakëzimit që është realizuar në sektorin e ushqimit dhe veterinarisë, ka nxitur Bashkimin Evropian të vazhdojë me projekte të reja. “Bashkimi Evropian së bashku me Qeverinë e Kosovës janë duke bërë përpjekje jo veç për shtimin e sasisë së prodhimit, por edhe për mbështetjen e sektorëve të ndryshëm të industrisë dhe mbështetjen e kërkesave të cilësisë dhe higjienës, të nevojshme dhe në përputhje me standardet e BE-së”, tha Osmani, duke shtuar se, BE-ja ka kërkesa të vështira dhe të rrepta për sigurinë e ushqimit dhe përderisa Kosova synon të integrohet dhe të bëhet pjesë e tregut të saj, duhet t’i përmbush këto kërkesa, që prodhimet e Kosovës të jenë të pranueshme për t’u eksportuar në vendet e BE-së.

Kohëzgjatja e këtij projekti do të jetë 24 muaj, ndërsa komponentët që do të implementohen përgjatë kësaj kohe kanë të bëjnë me kompletimin e kornizës ligjore për sigurinë ushqimore, çështjet veterinare dhe fitosanitare, me udhëzuesit operacional për procedurat standarde dhe trajnimet për sistemet e HACCP-it, me vlerësimin e përgjithshëm të fermave dhe njësive të biznesit dhe me fushata të ndryshme informative.