Me ftesë të Komisionit Evropian Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë Dr. Valdet Gjinovci, morri pjesë në takimin dyditor në Ohër të Maqedonisë, ku është mbledhur “Grupi i Përhershëm i Eksperteve për Sëmundjen Gungore të Lëkurës në Evropën Juglindore”, takim i organizuar nën patronatin e Kornizës Globale për Kontrollin Progresiv të Sëmundjeve Ndërkufitare në Kafshë (GF-TAD).
Në këtë takim pjesëmarrës ishin Shefat e Shërbimit Veterinar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Përfaqësues të Lartë të Komisionit Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, Përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve – OIE, përfaqësues nga Autoritet Evropian për Siguri Ushqimore – EFSA, përfaqësues të lartë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO, si dhe përfaqësues nga EUFMD.
Gjatë këtij takimi u prezantuar të arriturat e vaksinimit të gjedheve kundër Sëmundjes Gungore të Lëkurës në vendet e Ballkanit gjatë viteve të kaluara nga secilin vend pjesëmarrës. Po ashtu u diskutua mbi masat dhe veprimet e ardhshme lidhur me strategjinë e vaksinimit te gjedheve kundër Sëmundjes Gungore te Lëkurës.
Me ketë rast nga ana e Kryeshefit Ekzekutiv, u prezantuan të arriturat e vaksinimit të gjedheve kundër sëmundjes gungore të lëkurës gjatë tri viteve të kaluara në Republikën e Kosovës, realizimin e vaksinimit, numrin e kafshëve të vaksinuara gjatë vitit 2018, numrin e praktikave veterinare të angazhuara për realizimin e fushatës se vaksinimit si dhe masat përgatitore për vitin 2019, në rast se do të aplikohet vaksinimi i gjedheve si strategji e Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë këtij takimi Dr. Gjinovci, pati takime të veçanta me zyrtarë nga Komisioni Evropian respektivisht me z. Bernard Van Goethem, Drejtor i Drejtorisë për Menaxhimin e Krizave në Ushqim, Drejtoria e Përgjithshme për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore, pranë Komisionit Evropian në Bruksel, të cilin e falënderoi për ndihmën e vazhdueshme që po i jep Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë dhe fermerëve të Republikës se Kosovës në parandalimin dhe çrrënjosjen e Sëmundjes Gungore të Lëkurës tek gjedhet.
Në fund të takimit dy ditor u dhanë edhe draft rekomandimet si strategji e përgjithshme e vaksinimit të gjedheve kundër Sëmundjes Gungore të Lëkurës për vitin 2019.