Java e Gjelbër Ndërkombëtare Berlin

Drejtori Ekzekutiv i AUV-së, Dr. Valdet Gjinovci, ka marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë që është mbajtur në kuadër të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi dhe Panairit Ndërkombëtar “‘Java e Gjelbër Ndërkombëtare”, në Berlin, ku është diskutuar mbi të ”Ardhmen e Prodhimit të mishit të Derrit në nivel global kundrejt kërcënimit, nga Mortaja Afrikane e Derrit, konferencë e organizuar nga Komisioni Evropian.

Në këtë Konferencë, është diskutuar mbi parandalimin, kontrollin dhe çrrënjosjen e Sëmundjes Mortaja Afrikane e Derrit, pasi që kjo sëmundje është duke paraqitur problem serioz për ekonominë dhe popullatën e derrave në nivel global.

Pjesëmarrës  në konferencë ishin Ministrat e Bujqësisë, Komisioneri për Shëndet dhe Siguri të Ushqimit si dhe Shefat e shërbimit veterinar nga vende të ndryshme.

Po ashtu, Drejtori Ekzekutiv, gjatë qëndrimit në  Berlin ka vizituar edhe Institutin Federal për Vlerësim të Rrezikut (BfR), ku është takuar me  zëvendësdrejtorin  e këtij Instituti Prof. Dr. Roland Solecki dhe me Dr. Nicole Gollnic, Drejtore për marrëdhënie ndërkombëtare.

Në këtë takim Drejtori Ekzekutiv, ka biseduar lidhur me bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, bashkëpunimin e LUV-së me laboratorët nacional referente të Republikës Federale të Gjermanisë në fushën e sigurisë ushqimore.