Gjermania do të vazhdoj mbështetjen për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës

Ambasadori Gjerman në Kosovë z. Christian Heldt sot vizitoj Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë se bashku me Dr. German Jeub, Drejtor i Përgjithshëm ne Ministrinë per Ushqim dhe Bujqësi në Berlin Gjermani dhe udhëheqësin e autoritetit për mbrojtje të konsumatorit dhe kontroll të ushqimit të landit të Saksonisë së Ulët. Për tu njohur nga afër me punën dhe të arriturat ne këtë institucion.

Kryeshefi Ekzekutiv Dr. Valdet Gjinovci, u shprehu mirëseardhje duke vlerësuar se Gjermania është partner i rëndësishëm për Kosovën, ku në vazhdimësi bashkëpunim mes dy vendeve ka qenë frytdhënës në ngritje të kapaciteteve të autoritetit  duke potencuar bashkëpunimin me  homologun e tij Prof. Dr. Haunhorst, President në Zyrën Shtetërore për Mbrojtje të Konsumatorit dhe Siguri Ushqimore nga Saksonia e Ulet (LAVES). Dr. Gjinovci tutje tha se Gjermania është një prej donatoreve më të mëdhenj që kemi dhe do të thellojmë bashkëpunimin  bilateral, se të dyja vendet janë të lidhura në marrëdhënie të ngushta tregtare të cilat janë duke u zhvilluar tutje.

Ambasadori Heldt theksoi se Gjermania është një nder vendet e para qe e ka njohur pavarësinë e Kosovës e cila aktualisht është duke e përmbushur 10 vjetorin e saj.  Ai përgëzoj AUV-në per laboratorët dhe pajisjet moderne dhe funksionale të cilat i posedon. Bashkëpunimi sa i përket sigurisë ushqimore ndërmjet eksperteve Gjerman dhe kolegeve Kosovar ka fillet e tij duke filluar që nga viti 2008. Gjermania përkrah Kosovën në arritjen e qëllimeve të saj integruese drejt BE-së duke përfshirë përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës per te plotësuar standardet e sigurisë ushqimore të BE-së.

Të dy palët u pajtuan se konsumatorët Kosovar dhe Evropian kërkojnë siguri në ushqim dhe cilësi të lartë të ushqimit. Gjithashtu, siguria ushqimore është parakusht i domosdoshëm për promovimin e eksportit të produkteve bujqësore dhe për zhvillim ekonomik të vendit, ku qëllim kryesor është që konsumatorët të besojnë në sigurinë e ushqimit të tyre. Përveç legjislacionit të duhur dhe pajisjeve të nevojshme, është e domosdoshme që të jetë në dispozicion stafi i aftësuar dhe i trajnuar mirë në AUV.

Si përfundim Dr. Jeub theksoi: “Bota do të jetë e hapur për prodhuesit Kosovar nëse ata i përmbushin standardet Evropiane të cilat janë prej standardeve më të larta në botë”.