Do të rritët kontrolli dhe vetëkontrolli i fermave të prodhimit të vezëve

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë Dr. Valdet Gjinovci, sot priti në takim Kryetarin e Shoqatës së Shpëztarëve të Kosovës, z. Sabit  Rama, ku temat e diskutimit ishin: ngritja e nivelit të kontrollit të vezëve, përmes plotësimeve të mëtejshme të cilat duhet të përfshihen në etiketimin e vezëve të cilat vendosen në treg për konsum publik. Po ashtu gjatë takimit u diskutuan edhe planet e monitorimit për sëmundjet e shpezëve nga ana e AUV-së. Një pikë tjetër që u diskutua ishte edhe ngritja e vetëkontrollit nga ana e fermerëve dhe kontrolli i inspektoratit veterinar, për largim nga tregu të të gjitha vezëve të cilat nuk shiten sipas akteve ligjore në fuqi. Me të gjitha këto veprime për të cilat u dakorduan palët, synohet arritja e standardeve ndërkombëtare të sigurisë së vezëve të cilat dalin në treg për konsum të brendshëm, ku njëkohësisht plotësohen edhe kriteret për eksport në vendet tjera.

Sektori i shpezëtarisë,  gjegjësisht prodhimi i vezëve është njëri ndër sektorët i cili me së shumti është rritur në vendin tonë. Sot ky sektor mbulon pjesën me të madhe të konsumit vendor. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka qenë një partnere e përhershme në zhvillimin e tyre. Kryeshefi z. Gjinovci, tha se, bashkërisht janë arritur rezultate shumë të mira, fillimisht si sektor i cili ka rritur prodhimin vendor dhe ku çdo ditë e më tepër është rritur siguria dhe cilësia e vezëve. Sot mënyra e shitjes se vezëve në vendin tonë është e nivelit rajonal. Ne kemi për synim të vazhdojmë me rritjen e kontrollit dhe vetëkontrollit nga ana e fermerëve dhe ku shumë shpejt do të jemi tregtues në vende të ndryshme.