Më datën 04 Tetor, Drejtori Ekzekutiv z. Valdet Gjinovci priti në një takim të organizuar një grup prej 22 subjektesh afariste ushqimore të cilët vizituan Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për t’u njohur për së afërmi me procedurat që duhet ndjekur për regjistrimin e tyre si operator të biznesit me ushqim.
Z. Gjinovci fillimisht j’u uroi mirëseardhje vizitorëve duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite dhe vizitave tjera të cilat vetëm sa duhet të intensifikohen në funksion të ngritjes së vetëdijes së përgjithshme për të mbikëqyrë zbatimin e ligjit me objektiv të ofrimit për konsumatorin ushqim të sigurt dhe lehtë të gjurmueshëm. Më tej Drejtori Ekzekutiv potencoi se padyshim regjistrimi respektivisht formalizimi legal i gjithë subjekteve që afarojnë me prodhimin, përpunimin, paketimin, ruajtjen dhe distribuimin e ushqimit duke përfshirë edhe zbatimin e praktikave të mira të punës do të përmbush njërën nga kërkesat më kryesore drejt garantimit shëndetësor të produkteve dhe krijimin e besimit tek konsumatori.
Subjektet afariste paraprakisht kanë përfunduar trajnimin 2 javor për procedurat e regjistrimit dhe brendimin e produkteve të tyre sipas programit të mbështetur nga UNDP me implementimin e organizatës konsulente RECURA.
Në vazhdim, shpalosja e procedurave administrative dhe përmbushja e kërkesave ligjore për regjistrimin e aktiviteteve të tyre sa i takon afarizmit me ushqim, u prezantua nga znj. Besa Gërxhaliu Osmani në cilësinë e zyrtares kompetente për mbikëqyrjen e zbatimit ligjor të regjistrimit të operatorëve të biznesit me ushqim me prejardhje jo shtazore.
Në përfundim të këtij takimi njoftues, operatorët e biznesit me ushqim u ndanë të kënaqur për përfitimin e njohurive të reja sa i takon procedurave të regjistrimit dhe falënderuar autoritetin kompetent për mundësinë e krijuar ndërsa Drejtori Ekzekutiv j’u uroi punë të mbarë në ushtrimin e aktivitetit të tyre dhe i siguroi ata se AUV do të vazhdojë me korrektësi dhe me efikasitet t’i adresojë dhe shërbejë subjekteve afariste sa i takon kërkesave të tyre sipas legjislacionit në fuqi.