Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati Sanitar i Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës i njoftojnë subjektet afariste, të cilat vendosin tenda prej çfarëdo materiali për të mundësuar duhan-pirjen e klientëve në to, se kjo mënyrë e veprimit, është në kundërshtim me Ligjin për Kontrollin e Duhanit, nr. 04/L-156.
Ky ligj e ndalon pirjen e duhanit në hapësirat e mbyllura, të cilat sipas nenit 2, paragrafit 1.2 konsiderohen “çdo hapësirë e mbuluar me kulm ose tavan, që është i lëvizshëm apo i palëvizshëm, dhe të rrethuar me dy apo më shumë anë, pa marrë parasysh llojin e materialit të përdorur dhe pa marrë parasysh nëse struktura është e përhershme apo e përkohshme”.
Prandaj, improvizimet e këtilla nga subjektet afariste (kryesisht kafe-baret dhe restorantet) përbëjnë shkelje të Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe si të tilla do të ndëshkohen nga Inspektoratet përgjegjëse sipas dispozitave të këtij ligji.