Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në kuadër të projektit për kontroll dhe çrrënjosje të sëmundjes së Tërbimit ka rifilluar vaksinimin e kafshëve të egra i cili zhvillohet përmes ajrit. Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 840,000 euro i cili do të ekzekutohet nga një kompani Çeke në partneritet me një kompani vendore. Sasia e vaksinave qe do të shpërndahen do të jetë 250,000 doza. Shpërndarja e vaksinave do të kryhet me aeroplan profesional të cilët shpërndajnë Vaksina-Karrem në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ky lloj i vaksinimit ka shënuar rezultate në vendet e BE-së. Implementimi i tij në Kosovë do të ndihmojë në ruajtjen e shëndetit të kafshëve dhe njerëzve. Tërbimi është një sëmundje akute virale që vjen si pasojë e kafshimit dhe jep një encefalomielit vdekjeprurës tek gjitarët, shpendët dhe tek njeriu. Virusi hyn ne organizëm nëpërmjet plagëve te kafshimit. Ne pështymen e kafshëve ndodhet virusi i cili futet ne plage, ne gjak dhe vazhdon te zhvendoset për ne tru ne ganglionet spinal. Rezervuarët kryesore të infeksionit janë dhelprat ku qe prej 15 vitesh ne te gjithë Evropën zbatohen skema te qarta dhe projekte vaksinimi për zhdukjen e infeksionit. Infeksioni nga kafshët e egra mund të kalojë edhe tek qentë endacak, dhe në këtë mënyrë të kalojë tek kafshët shtëpiake dhe tek njerëzit. Për të mbrojtur kafshët dhe sidomos njerëzit nga sëmundja e tërbimit Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përdoret një skemë të plote vaksinimi që ka për qellim imunizimin e plotë. Vaksinat- karrem që shpërndahen nga ajri arrijnë në të gjitha zonat ku jetojnë kafshët e egra. Vaksinimi i kafshëve shtëpiake bëhet nga praktikat veterinare të kontraktuar nga AUV.
Vaksinat janë të sigurta si për kafshët ashtu edhe për njerëzit por nuk rekomandohet që njerëzit të jenë në kontakt direkt me to. Nëse vaksinat gjenden afër vendbanimit tuaj, preferohet që ato të zhvendosen jashtë vendbanimit duke përdorur dorëza. Nëse ndodh ndonjë rast kur keni hasur në ndonjë vaksinë të hapur dhe keni pasur kontakt me sy, hundë, apo gojë këshilloheni të kërkoni ndihmën e mjekut.
Për të gjitha informatat shtesë për këto vaksina munda ta kontaktoni Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë direkt në numrin 080011122 i cili është pa pagesë dhe është në dispozicion 24 orë.