Prishtinë, 25 shkurt 2010
Fillimi zyrtar i projektit të financuar nga BE-ja për kontrollin dhe/ose zhdukjen e sëmundjeve të shtazëve u bë sot në Prishtinë. Synimi kryesor i projektit është për të vlerësuar dhe përmirësuar gjendjen shëndetësore të kafshëve në Kosovë në lidhje me tërbimin dhe ethet klasike të derrit.
Kjo është pjesë e një programi më të gjerë të BE-së që do të realizohet në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja ka ndarë € 1.5 milion për të ofruar ndihmë teknike për Agjencinë Kosovare të Ushqimit dhe Veterinarisë në ekzekutimin e programeve të vëzhgimit të florës e faunës, kafshëve shtëpiake dhe zbatimin e kontrollit dhe zhdukjes së këtyre dy sëmundjeve.
Edhe tërbimi edhe ethet klasike të derrit janë sëmundje të kafshëve që kalojnë kufijt kështu që bashkëpunimi rajonal është kyç për zhdukjen e suksesshme apo kontrollin e shpërthimit të tyre. Përveç ndihmës për të ulur rreziqet shëndetësore për njerëzit dhe kafshët, ky projekt po ashtu do të ngrisë kontrollin veterinar të tregtisë me kafshë të gjalla dhe produkteve të tyre në Kosovë.
Në kontekstin rajonal, njëri prej synimeve kryesore të programit është ngritja e bashkëpunimit midis autoriteteve veterinare të vendeve fqinj, që do të ketë ndikim të konsiderueshëm në parandalimin e shpërthimit të sëmundjes që kalon kufijt me lehtësi.
Ky projekt 24 mujor do të realizohet nga PAN Livestock Services (Angli) në partneritet me JVL-Consulting (Belgjikë), Veterinary Laboratories Agency (Agjencia e Laboratoreve të Veterinarisë-Angli), Friedrich Loeffler Institute (Gjermani) dhe Agjencia Kosovare e Ushqimit dhe Veterinarisë. Puna në terren për mbledhjen e mostrave do të realizohet duke e shfrytëzuar rrjetin e veterinarëve privatë dhe shoqatave të gjuetarëve, ndërsa përpunimi i mostrave dhe testet e analizave do të kryhen nga Laboratori Kosovar i Veterinarisë me ndihmën e ekspertëve të ofruar në suaza të këtij projekti.