Drejtori i AUV-së Bekim Hoxha priti në takim Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë Laszlo Istvan DUX

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës Bekim Hoxha, priti sot në takim Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Istvan DUX, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë.

Drejtori Hoxha i uroi mirëseardhje Ambasadorit dhe e falënderoi për vizitën dhe kontributin e vazhdueshëm të Ambasadës së Hungarisë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të të dy vendeve, në veçanti në fushat me rëndësi jetike të cilat ndikojnë drejtëpërsëdrejti në shëndetin e popullatës në Kosovë.

Gjatë takimit, z. Hoxha e njoftoi Ambasadorin për iniciativën e ndërmarrë nga AUV për hartimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe homologes së saj në Hungari. Ky memorandum synon të forcojë bashkëpunimin teknik dhe institucional, duke kontribuar në rritjen e sigurisë ushqimore dhe mbikëqyrjen e importit të kafshëve.

Në këtë kontekst, drejtori Hoxha theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit edhe në sektorin e prodhimeve të qumështit, si dhe në ngritjen e kapaciteteve laboratorike, për të përmbushur standardet evropiane të kontrollit dhe sigurisë ushqimore.

Nga ana e tij, Ambasadori i Hungarisë në Kosovë Laszlo Istvan DUX, vlerësoi iniciativën për thellimin e bashkëpunimit dhe shprehu gatishmërinë e shtetit hungarez për të mbështetur Kosovën në këtë drejtim. Ai theksoi se sektori i ushqimit dhe veterinës është një fushë tejet e ndjeshme, pasi ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetën e qytetarëve, dhe për këtë arsye meriton një angazhim të vazhdueshëm dhe të përbashkët.

Takimi u mbyll me zotimin për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy agjencive dhe përmbushjen e objektivave të përbashkëta në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve.