Sot, me datë 29.10.2012, është bërë asgjësimi i 64 krerë dhi të cilat kanë rezultuar pozitiv në sëmundjen e Brucellozës. Drejtoria e Shëndetit dhe Mirëqënjes së Kafshëve e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, pas marrjes së informatës nga IKSHPK për rastet e njerëzve të infektuar me këtë sëmundje ka filluar hulumtimin diagnostik të fermave të zonës ku ka identifikuar fermën e cila ka të pranishme këtë sëmundje në bazë të marrjes së mostrave të gjakut nga kafshët të cilat janë dërguar për analiza laboratorike. Rezultatet e analizave të kryera kanë konfirmuar praninë e shkaktarit të kësaj sëmundje tek tufa e caktuar në Fshatin Zhegër, Komuna e Gjilanit. Me identifikimin e fermës nga ana e AUV-së janë ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së sëmundjes tek kafshët dhe njerëzit, në këtë veprim ferma është futur në izolim ku nuk është lejuar konsumimi i produkteve që dalin nga kjo fermë, pastaj është vendosur masa e ndalimit të lëvizjes së kafshëve dhe nuk është lejuar ripopullimi i fermës në fjalë. Si masë me e mirë mbrojtëse për të ruajtur shëndetin e njerëzve dhe kafshëve të zonës është vendosur të bëhet asgjësimi i kësaj tufe për të pamundësuar që sëmundja të prek të tjerët. Asgjësimi është kryer nën mbikëqyrjen e zyrtarëve të AUV-së qendër , nga Zyra regjionale e AUV-së Gjilan, dhe zyrtaret përgjegjës të Kuvendit Komunal Gjilan. Procesi është kryer me profesionalizëm duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për rate të tilla. Në fillim janë marrë kafshët nga ferma dhe janë transportuar deri në vendin e caktuar larg vendbanimeve ku është bërë therja, groposja, dhe dezinfektimi i hapësirës përreth vendit ku janë groposur kafshët. Ferma e liruar nga kafshët është dezinfektuar dhe është vënë masa e ndalimit të ripopullimit me kafshë të reja në afat prej 6 muajsh nga data e kryerjes së dezinfektimit.
Me këtë veprim, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë parandalimin e përhapjes së sëmundjes në njerëz dhe kafshë, duke i respektuar të gjitha rregullat ligjore për të ruajtur shëndetin e përgjithshëm publik.