Me qëllim të marrjes së eksperiencave nga shteti i Kosovës në lidhje me organizimin dhe funksionimin e subjekteve private veterinare, me datë 22.06.2017 dhe 23.06.2017 një delegacion nga shërbimi veterinar i shtetit të Shqipërisë i kryesuar nga Edi Fero Drejtor i Drejtorisë Veterinare në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe përgjegjësit e drejtorive rajonale të Tiranës, Elbasanit, Lushnjë, Kukësit dhe Beratit qëndruan në një vizitë zyrtare në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Delegacioni në fjalë u pritë nga Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë Dr. Valdet Gjinovci me bashkëpunëtor. Dr. Gjinovci i shprehu mirëseardhje delegacionit nga Shqipëria ku edhe njoftoi lidhur me të arriturat e AUV me theks të veçantë bashkëpunimin e AUV-së me subjektet veterinare private.
Takimi vazhdoi gjatë tërë ditës ku nga Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në AUV, DMV Sadik Heta, zyrtarët në fjalë u njoftuan më për së afërmi mbi organizimin e drejtorisë, bazën ligjore si dhe aktivitetet private veterinare të cilat zhvillohen në terren.
Për të parë se si funksionojnë subjektet private veterinare, në ditën e dytë patëm një vizitë në terren ku u njoftuan lidhur me organizmin e brendshëm të subjekteve private veterinare dhe ndërlidhjen e punëve në terren, me theks të veçantë raportimet elektronike të të dhënave si dhe sistemin e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve.
Të dy shërbimet veterinare në fund të takimit u zotuan që të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e shëndetit të kafshëve në të ardhmen me qëllim ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të kafshëve.