BORDI DREJTUES I AGJENCISË SË USHQIMIT DHE VETERINARISË ZHVILLOI TAKIMIN E RREGULLT TË PUNËS

Bordi Drejtues i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë zhvilloi takimin e rregullt të punës, i dyti me radhë pas takimit të parë konstituiv të përbërjes së re të Bordit Drejtues për këtë mandat. Krahas anëtarëve të Bordit në këtë takim morën pjesë edhe drejtorët e agjencisë.

Sipas procedurës, kryesuesja e Bordit Drejtues znj. Dafina Gexha – Bunjaku e hapi takimin, duke shpalosur agjendën e takimit sipas pikave të rendit të ditës siç ishin shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga takimi i parë konstituiv, shqyrtimi i dokumenteve dhe materialeve të kërkuara paraprakisht nga Bordi Drejtues, raportimi i Drejtorit Ekzekutiv për raportet dhe planet e punës, projektet dhe proceset e përfunduara dhe ato në vijim si dhe diskutimi i çështjeve tjera sipas kërkesës së anëtarëve të Bordit Drejtues.

Drejtori Ekzekutiv z. Valdet Gjinovci, në ekspozenë e tij prezantoi në mënyrë të hollësishme Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë duke filluar nga organizimi i brendshëm, legjislacioni adekuat me të cilin shërbehët agjencia si dhe lista e dokumenteve standarde për procedurat e punës, listat e kontrollit si dhe  udhëzuesit e zbatimit të kontrolleve zyrtare. Po ashtu në këtë takim, janë prezantuar edhe raporti vjetor i punës dhe raporti financiar-buxhetor për vitin 2019, planet e punës për secilën drejtori, plani i kontrolleve zyrtare dhe mostrimit, plani i monitorimit dhe kontrollit të sëmundjeve infektive të kafshëve, plani i monitorimit të mbetjeve si dhe planet individuale të inspektoratit, raporti tremujor T-1 2020, drafti i strategjisë së zhvillimit të AUV-së, projektet ndërkombëtare të realizuara dhe ato në vijim të përkrahura nga Komisioni Evropian.

Anëtarët e Bordit Drejtues shtruan pyetje të ndryshme lidhur me organizimin dhe aktivitetet e agjencisë, si dhe procedurat rreth organizimit për takimet e ardhshme të Bordit, ku me këtë rast i ju dhanë përgjigjet dhe shpjegimet nga z. Valdet Gjinovci në cilësinë e drejtorit ekzekutiv dhe nga drejtorët e drejtorive të agjencisë, ku anëtarët u ndanë të kënaqur me ekspozenë rreth aktiviteteve dhe të arriturave të agjencisë dhe njëherësh ndanë mendimin e përbashkët, në vazhdimin e përkrahjes së mëtejshme agjencisë për zhvillim dhe avancim profesional, për të rritur akoma më shumë nivelin e sigurisë së ushqimit sipas mandatit dhe kompetencave të agjencisë.

Në fund të takimit, kryesuesja e Bordit Drejtues znj. Dafina Gexha-Bunjaku e mbylli takimin duke kërkuar koordinimin dhe kontributin e të gjithë anëtarëve, për organizimin e takimeve të ardhshme, duke propozuar aktivitetet dhe agjendën për diskutime, sipas mandatit dhe rregullores për organizimin dhe fushëveprimtarinë e Bordit Drejtues.

Ju kujtojmë se me vendimin Nr. 09/27 nga Qeveria e Republikës së Kosovës më datë 30.04.2020, janë emëruar anëtarët e rinj të Bordit Drejtues për mandatin trevjeçar (2020-2023) në këtë përbërje: Nysrete Doda – MBPZHR; Delvina Hana – MBPZHR; Arsim Qavdarbasha – MSH; Dafina Gexha – IKSHPK; Selatin Kaqaniku – SHMK; Parim Bajrami – OEK; dhe Valdet Gjinovci – AUV.

Takimi i parë konstituiv i Bordit Drejtues u mbajt më datën 14 Maj 2020, ku znj. Dafina Gexha Bunjaku me profesion mjeke epidemiologe, e cila vjen nga radhët e IKSHPK u zgjedh kryesuese e Bordit Drejtues.